Fan S. Noli - Fjalim i mbajtur ne Shoqerine VATRA ne vitin 1962

Robert Elsie zbulon tri incizime të rralla në gjuhën shqipe

Tri incizime të rralla janë publikuar në sitin e tij zyrtar nga albanologu Robert Elsie. Bëhet fjalë për incizim të hershëm realizuar nga albanologu Norbert Jokli, një incizim i vitit 1937 me zërin e Fishtës, ndërsa reciton dy prej këngëve të "Lahutës së malcisë" dhe një fjalim që Fan Noli ka mbajtur në Boston në vitin 1962.

Incizimi më i hershëm

Materiali më i rrallë është ai që Elsie e cilëson si "incizimi i parë i shqipes së Ballkanit", i realizuar nga albanologu i njohur austriak, Norbert Jokli. Siç shpjegon Elsie, "Jokli kishte mësuar shqip me Gjergj Pekmezin (1872-1938) dhe me shqiptarë të tjerë në Vjenë. Nga raporti paraprak i hulumtimit të dialekteve gege, të cilin ai e përgatiti në vitin 1914 për Akademinë Austriake të Shkencave, del e qartë se kishte një interes të veçantë për variantet rajonale të gjuhës shqipe". Sa i takon këtij incizimi të rrallë, Elsie shpjegon: "Në pranverën e vitit 1914, Norbert Jokli dëgjoi për një grup shqiptarësh pastiçierë që punonin në Hungari. Pa humbur kohë, u nis për t'i takuar dhe për të bërë shënime gjuhësore për dialektin e tyre. Me mbështetjen e Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave, Jokli e ftoi njërin prej punëtorëve, një Mustafa Abdyli (lindur me 1876) nga Vrapçishta e Gostivarit (Maqedoni), në Vjenë për një muaj, për një incizim zanor të gjuhës së tij në Arkivin Fonogramik aty". Ky incizim pesëminutësh, i kryer më 4 prill 1914 dhe i paraqitur për herë të parë në faqen zyrtare të Elsies, duket se është dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe nga Ballkani. Incizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave (Zentrum Sprachwissenschaft, Bild- und Tondokumentation, Phonogrammarchiv, Österreichische Akademie der Wissenschaften) në Vjenë.
At Gjergj Fishta ne Paris, 1920


At Gjergj Fishta reciton "Lahutën" - 1937

Por mjaft i rrallë është edhe incizimi i dytë, që i takon vitit 1937. Zëri që dëgjohet në këtë incizim i takon poetit të madh, Gjergj Fishta.
Këtë zbulim sensacional Robert Elsie e ka publikuar në faqen e tij të internetit kushtuar gjuhës shqipe.
Në këtë incizim, At Gjergj Fishta është duke lexuar disa pjesë nga kryevepra e tij, eposi kombëtar "Lahuta e Malcís".
Janë pikërisht dy prej këngëve të "Lahutës": përkatësisht kanga 5 nga strofa 391 deri në strofën 465 dhe kanga 13 nga strofa 1 deri në strofën 77.
Leximi i Fishtës mbase nuk është interpretimi përfundimtar i "Lahutës".
Por leximi i tij ritmik hedh poshtë çdo paraqitje patetike dhe teatrale të shumë aktorëve shqiptarë, sidomos nëse shoqërohet me një sfond sentimental muzikor, siç është në këtë rast shoqërimi me lahutë.




Fjalimi i Nolit - 1962

Ndërsa fjalimi i Fan Nolit mbajtur në Boston më 1962 para shoqërisë shqiptaro-amerikane "Vatra", na sjell tingëllimën e një toskërishteje të mrekullueshme. Incizimi ishte ruajtur prej vitesh nga Peter Prifti (San Diego) dhe siç shpjegon Elsie, u vu në dispozicion të publikut nga Kryepeshkopia Ortodokse në Amerikë (Boston) dhe u dixhitalizua në CD nga Avni Spahiu dhe Baki Jashari (Prishtinë).