Gazeta Metropol - 30/01/2005 Në rast se Migjeni do të jetonte në shekullin e XXI...?
Do të rishkruante "Na t'birtë e shekullit të ri" pa më të voglin hezitim.
Po "Poemën e mjerimit"...? Natyrisht edhe atë. Po..., po..., po...?
Përgjigjja është një dhe e vetme: të gjitha!
Nuk ka kaluar as një shekull, po ajo çka krijuar Migjeni të duket sikur sapo është shkruar, se diku e gjen në të përditshmet letrare.
Pasi Kolën e sheh kudo..., edhe Lulin e vocërr, vetëm se ky i fundit, tashmë nuk ecën në shi për të shkuar në shkollë, por për të shkuar te semafori dhe për të thënë "bukën e përditshme falna Zot".
Në librin më të ri kushtuar krijimtarisë letrare të Migjenit, shkruar nga Prof. Dr. Koço Bihiku dhe botuar nën kujdesin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, midis të tjerash thuhet: "Te Migjeni zien revolta jo kundër mjerimit si mjerim, por kundër mjerimit si shfaqje e pabarazisë shoqërore".
Kanë kaluar kaq vite që atëherë dhe duket se shqiptarët ende nuk e kanë gjetur barazinë e duhur. Përditë dhe kudo, mund të ndeshesh, të përballesh dhe të flasësh me të gjitha personazhet e krijuesit të madh (ndoshta të gjithë ne jemi nga pak personazhe të tij). Si është e mundur do të pyeste dikush. Por ja që është e vërtetë. Shumë gjëra, për shumë njerëz, vazhdojnë të jenë "mollë të ndalueme" dhe jo në kuptimin metaforik, por në atë real. Qytetet janë rritur. Nuk ka shtëpi përdhese, por ka rokaqiej. Ka ende rrugë të përbaltura si edhe Lula të vocërr, që nuk "duan" të shkojnë në shkolla, pasi kanë zgjedhur profesionin më të "bukur", atë të lypësit. "Qeshu rini qeshu, bota është e jotja...". A thua të jetë e vërtetë? Rinia jonë sot po i "qeshet" vetëm emigrimit, si shpresa e vetme e saj. Sot rinia braktis shkollat dhe gjen "shpëtim" te droga. Por, Migjeni nuk e sheh dot këtë realitet (sa me fat!).
